Në Tiranë lindi Anisa Makarian, aktore, skenariste, me kombësi hebreje. Kreu Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, por me të dhënat e saj si aktore u tërhoq shpejt nga regjisorët e kinematografisë, duke i ofruar role kryesore. E nisi së pari me rolin e protagonistes, Dhuratës, në filmin “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), por roli që e bëri të njohur, duke i dhënë një sukses të bujshëm para spektatorit të atyre viteve, ishte ai i Zanës në filmin “Në çdo stinë” (1980), me të cilin ajo fitoi edhe kupën e festivalit. Këtu spikati aktrimi i saj i natyrshëm, natyra poetike, bukuria dhe hijeshia femërore, ndjenjat e holla dhe, herë-herë, edhe tonet dramatike. Këto të fundit do të përthyheshin e thelloheshin më tutje te roli më i arrirë i saj, Irena në filmin “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988), ku ishte njëkohësisht bashkëskenariste me Remzi Lanin. Me këtë rol fitoi sërish kupën e festivalit, si aktorja më e mirë femër. Vijoi të aktronte në po këto hulli edhe në filmin “Ngjyrat e moshës” (1990), me rolin e Ketit, ku tanimë ishte edhe autorja e skenarit. Pas ndryshimeve demokratike që ndodhën në vend në vitet ’90, emigroi në Paris ku jeton aktualisht, e shkëputur tanimë nga projektet kinematografike. (Në fotografi: Anisa Makarian)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://observerkult.com/
Përpunim grafik: AHCF




