Në Elbasan lindi Ibrahim Biçaku, veprimtar politik, i biri i Aqif pashë Elbasanit, kryeministër gjatë pushtimit gjerman, çifligar. Kreu shkollën e mesme dhe Akademinë Tregtare në Austri, ku u diplomua agronom. Pas kthimit në atdhe, në zgjedhjet parlamentare të 31 janarit 1937, u zgjodh deputet i Elbasanit. Pas pushtimit fashist, u caktua anëtar i Asamblesë Kushtetuese. Kjo Asamble u mblodh, më 12 prill 1939, nga fashistët italianë dhe shpalli të rrëzuar regjimin monarkist të Ahmet Zogut, si dhe krijoi një qeveri me fuqi të plota. Ishte pronar i dyqanit “Flora” në qendër të Tiranës, që shërbente si bazë ilegale e grupeve komuniste dhe e Partisë Komuniste Shqiptare. Pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe hyrjes së trupave gjermane në Shqipëri (shtator 1943), u caktua kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm. Në Kuvendin Kombëtar (1943) përfaqësonte Elbasanin. U emërua kryeministër dhe njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër i Punëve të Brendshme (1944). U arrestua më 6 dhjetor 1944 dhe u dënua si kolaboracionist. Pas lirimit, më 5 maj 1962, vitet e fundit të jetës i kaloi në Elbasan. U nda nga jeta në vitin 1977. (Në fotografi: Ibrahim Biçaku)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 244.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ibrahim_Bi%C3%A7ak%C3%A7iu
Përpunim grafik: AHCF




