Aleks Buda

Lexo ngjarje:

Në Elbasan lindi Aleks Buda, personalitet i historiografisë dhe kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekulli XX, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1972–1993), Mësues i Popullit. Lindi në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Lecce, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929–1935). Më pas (1939–1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtare të qarkut të Elbasanit. Ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku drejtoi Sektorin e historisë e të sociologjisë dhe dha ndihmesë në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë e të historisë së lashtë, të historisë së mesjetës, të historisë së kohës së re, të artit mesjetar, etnografisë etj. Me formimin, më 1955, të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda, si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e medievistikës shqiptare. Me ngritjen e Universitetit të Tiranës (1957) Aleks Buda u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Si kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj., Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore, sidomos në fushën e albanologjisë, duke orientuar kërkimet shkencore në studimin e historisë së kombit shqiptar, në mënyrë të veçantë të historisë së lashtë, asaj mesjetare dhe të Rilindjes Kombëtare. Aleks Buda ideoi dhe konceptoi veprën kolektive “Historia e Shqipërisë” (vëll. I–II, 1959, 1965), vepër krejt e re si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik; është gjithashtu bashkautor dhe bashkëredaktor i botimit të ri të “Historisë së Shqipërisë” (vëll. II, 1984), bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar”, vëll. II, 2002. Ka dhënë ndihmesë të çmuar në udhëheqjen shkencore (kryeredaktor) të “Fjalorit enciklopedik shqiptar” (1985). Aleks Buda ka përfaqësuar shkencën historike shqiptare në konferenca e kongrese ndërkombëtare, si në ato të Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore, të Shoqatës Botërore të Historianëve etj., në të cilat trajtoi probleme të historisë së popullit shqiptar, duke nxjerrë në pah veçoritë historike të zhvillimit të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe marrëdhëniet e ndërsjella të shqiptarëve me popujt e tjerë. Ka marrë “Çmimin e Republikës” të Shkallës së Parë, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të Klasit I dhe me “Urdhrin e Flamurit të Punës” të Klasit I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990). Aleks Buda ka qenë deputet në Kuvendin Popullor në disa legjislatura (që nga viti 1950), dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë. U nda nga jeta në vitin 1993. (Në fotografi: Aleks Buda)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 315–316.

Fotografia: © https://www.shqiperia.com/Aleks-Buda-ishte-adhurues-i-Tolstoit.9246/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img