Në Nju-Jork (SHBA) u nda nga jeta Sulejman Gashi, gazetar. Lindi në Kumanovë (Maqedonia e Veriut) në vitin 1959. Në Kijevë të Malishevës (Kosovë) mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi angleze i mbaroi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë viteve 1983–1988 punoi mësimdhënës në gjimnazin e Kijevës dhe të Klinës. Nga viti 1988 nis punë si gazetar-reporter në TV Prishtina (RTP). Më 1990, pas mbylljes së dhunshme të RTP-së nga Serbia, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri në vitin 1999 raportoi nga Nju-Jorku për mediet në gjuhën shqipe “Rilindja”, “Bujku”, programi për Kosovën në Radio-Zagreb dhe më pas për Radio Televizionin Shqiptar. Ishte bashkëthemelues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju-Jork. Pas çlirimit të Kosovës më 1999, emërohet këshilltar për medie i shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Bernard Kushner, dhe koordinator i UNMIK-ut për themelimin e medieve elektronike publike në Kosovë, Radio Televizionit të Kosovës dhe radios “Blue Sky”. Nga shtatori 2003 kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si korrespondent i Radio Televizionit të Kosovës. Përveçse me gazetari u mor edhe me përkthime. (Në fotografi: Sulejman Gashi)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 487–488.
Fotografia: © https://oxygenpress.info/2020/11/26/mirenjohje-amerikane-per-te-nderuarin-sulejman-gashi-ne-diten-e-falenderimeve/
Përpunim grafik: AHCF




