Në Këlcyrë (Përmet) lindi Ali Bej Këlcyra, veprimtar politik, një nga figurat kryesore të Ballit Kombëtar. Studimet e larta për drejtësi i filloi në Stamboll dhe i përfundoi në Romë (1919). Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës (1920) dhe ishte një nga organizatorët politikë të Luftës së Vlorës (1920). Gjatë viteve 1921–1924 qe deputet i Partisë Popullore. Në fjalimet e tij u shpreh kundër qeverisjes së Ahmet Zogut. Në zgjedhjet e nëntorit 1923, opozitarët antizogistë të Gjirokastrës që mbështetnin Ali Këlcyrën, fituan 8 vende në Parlament dhe në mars 1924 votuan kundër qeverisë së Shefqet Vërlacit. Në vitin 1925 u largua nga Shqipëria. Në mërgim mori pjesë në organizatën “Bashkimi Kombëtar”. U dënua me vdekje në mungesë nga regjimi i Ahmet Zogut. Në vitin 1938 u lidh ngushtë me grupin e Zarës të Mustafa Krujës dhe mbështeti planin e Italisë për pushtimin e Shqipërisë. Ishte një nga themeluesit dhe udhëheqësit kryesorë të organizatës “Balli Kombëtar”. Në periudhën e pushtimin gjerman të vendit, si një ndër udhëheqësit e Ballit Kombëtar, hyri në bashkëpunim me nazistët gjermanë dhe u angazhua në veprimet luftarake kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe zonave të çliruara prej saj. Në prag të çlirimit të vendit, u largua për në Itali. Pas vdekjes së Mithat Frashërit u përpoq ta mbante të bashkuar Ballin Kombëtar, i cili kishte filluar të përçahej në fraksione të shumta. Është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. (Në fotografi: Ali bej Këlcyra)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1153.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ali_K%C3%ABlcyra
Përpunim grafik: AHCF




