Më 18 prill 1921, në Tiranë, në një familje me lidhje të afërta me Ismail Qemal Vlorën, lindi Nermin (Falaski) Vlora, shkrimtare, publiciste dhe studiuese. Kreu Institutin Femëror në Tiranë (1943). Në fund të luftës u vendos në Itali. Kreu studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Sienës (1952–1957). Si bashkëshorte e diplomatit italian Renzo Falaschi, pati rast të jetojë në vende të ndryshme të botës. Interesat e saj shtrihen në disa fusha: letërsi, histori, arkeologji, gjuhësi dhe publicistikë. Shkroi vjersha, ese, romane, përshkrime dhe artikuj të shumtë shkencorë dhe publicistikë; ka botuar rreth 40 libra, midis tyre: “Pellazgët-Ilirët-Etruskët-Shqiptarët” (1984); “Lashtësia e gjuhës shqipe” (1991); “Shqiptarët, popull i ndarë” (1996). Iu kushtua sidomos hulumtimit të lidhjeve kulturore e gjuhësore ndërmjet etruskëve dhe paraardhësve të shqiptarëve, duke synuar të dëshmojë lashtësinë e etnosit shqiptar. Mbajti lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë e me Kosovën, duke dhënë ndihmesë në afirmimin e vlerave të kulturës shqiptare në botë, dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar rreth çështjes kombëtare shqiptare. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” i klasit I. Vdiq në Romë. Sipas dëshirës së saj, u varros në Kaninë të Vlorës. (Në fotografi: Nermin Falaski Vlora)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2900.
Fotografia: © https://gazetavatra.com/
Përpunim grafik: AHCF




