Në Malin e Jushit (Rranzat e Bushatit, Shkodër) lindi Prek Cali, veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Udhëhoqi luftërat antiosmane të kelmendasve në vitet 1908–1911 e 1912. Më 1914, mbështeti qeverinë e Princ Vidit. Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), udhëhoqi luftërat për mbrojtjen e kufijve veriorë të Shqipërisë. Në gusht të vitit 1920, në krye të një çete malësorësh, mori pjesë në Luftën e Koplikut në cilësinë e komandantit. Gjatë Revolucionit të Qershorit të vitit 1924 u radhit në krahun e Fan Nolit. Në krye të luftëtarëve të Kelmendit, ai hyri në Tiranë, më 11 qershor 1924. Gjatë qeverisjes jetëshkurtër të Nolit, shërbeu si komandant i forcave të Malësisë së Madhe. Pas kthimit të Ahmet Zogut dhe zgjedhjes së tij president, Prekë Cali u internua, për rreth tre vjet, në qytetin e Gjirokastrës. U lirua me ndërhyrjen e at Anton Harapit. Pas shpalljes së mbretërisë (1928), u gradua kapiten rezervist dhe për shumë vjet kreu detyrën e sigurimit të qetësisë publike dhe ruajtjes së kufijve të Kelmendit. Më vonë u zgjodh komandant i xhandarmërisë për Malësinë e Madhe. Mori pjesë në Kuvendin e Brojës, që u mblodh më 13 janar 1945, për të organizuar rezistencën antikomuniste. Udhëhoqi Kryengritjen e Kelmendit, që u zhvillua më 12 dhe 13 janar të vitit 1945. Pas dështimit të saj, më 17 shkurt iu dorëzua Batalionit IV të Brigadës XXIII. Gjyqi kundër Prekë Calit filloi më 28 shkurt 1945. U pushkatua mëngjesin e 25 marsit të po atij viti, pas murit të varrezave të Rrëmajit në Shkodër, bashkë me trembëdhjetë burra të tjerë. Më 15 gusht të po atij viti, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Malësisë së Madhe urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij. Ky urdhër u përsërit nga po ky komitet edhe më 25 prill 1946. Më 25 qershor 1993, Presidenti i Republikës i akordoi medaljen “Martir i Demokracisë”. (Në fotografi: Prek Cali)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 225–226.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Prek_Cali
Përpunim grafik: AHCF




