Lindi në Berat Hysen Hakani, regjisor, një nga pionierët e filmit artistik shqiptar. Më 1951 mbaroi liceun artistik “Jordan Misja” në degën dramatike dhe u dërgua në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, në fakultetin “FAMU” për regji filmi. U emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” në fillim të vitit 1958. Në dy vitet e para të punës si regjisor u mor me realizimin e filmave kronikalë e dokumentarë. Më 1961 realizoi filmin e metrazhit të plotë “Debatik”. Është filmi që hapi udhën e profesionalizmit të vërtetë në prodhimin e filmit artistik shqiptar, i pari film xhiruar nga një shtab krijuesish profesionistë me arsim të lartë, që më vonë u bënë ndër më të dëgjuarit e kinemasë shqiptare. Më 1985, në retrospektivën e filmit shqiptar në Festivalin e 15-të Ndërkombëtar të Filmave për Fëmijë në Salerno (Itali) “Debatik” u nderua me Pllakë të veçantë nga Rotary Club. Pas vitit 1984 për disa vite ka punuar në Filmarkiv, në sektorin e pasurimit të fondit arkivor. Është dekoruar me urdhra pune dhe urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa më 2002, me rastin e 50-vjetorit të krijimit të Kinostudios, u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i madh”. (Në fotografi: Hysen Hakani)
Teksti: Kristaq Dhamo
Fotografia: © https://digital.library.ucla.edu/catalog/ark:/21198/z13v3jkt
Përpunim grafik: AHCF




