Njohja e Shqipërisë si “Principatë Sovrane”

Lexo ngjarje:

Konferenca e Ambasadorëve në Londër njohu Shqipërinë si “principatë sovrane”, duke përjashtuar çdo lidhje varësie nga Perandoria Osmane. Konferenca e Ambasadorëve në Londër u organizua nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglia, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Franca e Rusia. U krijua për të shqyrtuar problemet që dolën pas humbjes së Turqisë në luftën me aleatët e Ballkanit. Fuqitë u përfaqësuan aty nëpërmjet ambasadorëve të tyre të akredituar në kryeqytetin britanik. Si kryetar i Konferencës u zgjodh ministri i Jashtëm britanik Eduard Grej (Grey). Në qendër të vëmendjes së saj Konferenca e Ambasadorëve pati çështjen shqiptare. Në mbledhjen e saj të parë vendosi që Shqipëria të shpallej shtet “autonom” nën sovranitetin e sulltanit. Por me vendimin përfundimtar të 29 korrikut 1913, Shqipëria u njoh si “principatë sovrane”. Organizimin e brendshëm të Shqipërisë Konferenca e Ambasadorëve nuk ia njohu Qeverisë së Përkohshme të Vlorës (1912), por e la në dorë të Fuqive të Mëdha. Detyra e krijimit të degëve të ndryshme të administratës së shtetit të ri iu ngarkua një Komisioni Ndërkombëtar të Kontrollit. Edhe organizimi i forcave të rendit publik (xhandarmërisë) iu besua oficerëve të huaj. Për sa u përket kufijve, Konferenca e Ambasadorëve kreu një padrejtësi të madhe në dëm të kombit shqiptar. Fuqitë pjesëmarrëse nuk i përfillën të drejtat dhe interesat themelorë të shtetit të ri shqiptar. Brenda kufijve të tij u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare, një sipërfaqe prej rreth 28 mijë km² dhe më pak se gjysma e popullsisë me kombësi shqiptare, rreth 800 mijë frymë. Më tepër se gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Pjesa më e madhe kaluan nën Serbinë, pjesa tjetër nën Malin e Zi dhe Greqinë. Në kufijtë e Shqipërisë u la një pakicë e vogël greke (në zonën e Gjirokastrës). (Në fotografi: Konferenca e Ambasadorëve në Londër.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1242.

Fotografia: © Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Tiranë.

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img