Në Gjenevë (Zvicër) doli numri i parë i gazetës “Liria Kombëtare” (1925–1935), gazetë e përdyjavshme politike, ekonomike, shoqërore e letrare, organ i emigrantëve shqiptarë anëtarë të Komitetit të Çlirimit Nacional. Botohej shqip dhe frëngjisht. Vijoi me disa ndërprerje deri numrin 179. Gazeta “Liria kombëtare” u bë tribunë e mendimit demokratik e liberal të emigrantëve shqiptarë në luftë kundër regjimit të Ahmet Zogut dhe rrezikut të fashizmit italian për Shqipërinë. Informacionet, lajmet dhe artikujt e ndryshëm analitikë të gazetës “Liria kombëtare” përfaqësojnë një burim të pasur dokumentar për ngjarjet kryesore politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri në dhjetëvjeçarin 1925–1935. Gazeta pasqyroi gjendjen e rëndë ekonomike të vendit, demaskoi hap pas hapi rrezikun e pakteve të qeverisë së Ahmet Zogut me Italinë fashiste dhe paralajmëroi pushtimin fashist të Shqipërisë. Shpëtimin e Shqipërisë e të popullit shqiptar, gazeta “Liria kombëtare” e shihte në luftën për përmbysjen e regjimit në fuqi dhe zëvendësimin me një regjim të demokracisë liberale sipas shembullit të shteteve të Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Në fotografi: Ballina e gazetës “Liria kombëtare”, 1926.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1529.
Fotografia: © Kadiu A., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




