Lindi në Shkodër Mario Ashiku, regjisor, aktor, profesor. Qysh student, më 1959, interpretoi rolin kryesor, atë të Arbenit, në filmin e përbashkët ruso-shqiptar “Furtuna”, me regjisor J. Ozerov, K. Dhamo. Hiri dhe bukuria fizike, tok me dhunti të tjera aktoriale, e bënë të kërkuar nga regjisorët e skenës dhe të ekranit. Pas mbarimit të studimeve universitare punoi si aktor në Teatrin Popullor, ku realizoi disa figura mbresëlënëse. Në kinematografi ka realizuar 13 role. Pas një pune disavjeçare në Institutin e Lartë të Arteve si pedagog i mjeshtërisë së aktorit, pranë regjisorit dhe pedagogut të shquar Kujtim Spahivogli, ai u transferua arbitrarisht në Estradën e Pogradecit, ku punoi gjer në vitin 1986; më pas shkoi në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, gjer në vitin 1990. Në të dyja trupat vuri në skenë shumë shfaqje variete, gjithashtu drama dhe komedi. Në individualitetin artistik të Mario Ashikut si regjisor, vihet re dëshira për sjellje dhe pamje njerëzore të përkora, për gjasa sa më jetësore, gati natyrale, ku elementi i përfshirjes spontane të aktorit në rrethanën e figurës artistike shfaqet si qëllim parësor, në saje të ngulmimit për një përshtatje, dëgjim e shikim aktorial afër jetës e veprimeve sa më të njëmendta. Në vitin 1992 Mario Ashiku rifilloi punë si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Akademinë e Arteve. Ai shquhet për kulturën, kërkesat e larta pedagogjike, finesën artistike dhe etikën profesionale. (Në fotografi: Mario Ashiku gjatë xhirimit të filmit “Toka jonë”, 1964.)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://digital.library.ucla.edu/catalog/ark:/21198/z1cc572s
Përpunim grafik: AHCF




