Jul Variboba

Lexo ngjarje:

Më 16 prill 1724 (ose 1725), në Mbuzat (it. San Giorgio Albanese) të krahinës së Kozencës, lindi Jul Variboba (?1724–1788), poet arbëresh. Në moshën 12-vjeçare hyri në Kolegjin Korsini në fshatin arbëresh Shën-Benedhit (it. San Benedeto Ulano), të cilin e kreu me sukses. Më 1749 u shugurua prift dhe shërbeu për një kohë në kishën e vendlindjes. Nga mosmarrëveshjet me bashkëfshatarët, sepse pëlqente ritin latin (katolik) ndaj atij bizantin (ortodoks), u detyrua të largohej nga fshati. Më 1761 mërgoi në Romë, ku shërbeu si prift, derisa vdiq. Në Romë botoi veprën e tij “Gjella e Shën Mëris Virgjër” (1762). Ajo përmban një poemë të gjatë epiko-lirike me mbi 4700 vargje, të ndarë në dy pjesë, dhe disa vjersha lirike që, për nga tematika, janë si plotësim i poemës. Poemës i prijnë dy proza të shkurtra mjaft origjinale, që shërbejnë si parathënie. Me gjithë subjektin fetar, largohet mjaft nga tradita kishtare në paraqitjen e figurave biblike, duke i përshkruar ato si njerëz të zakonshëm. Disa nga vjershat e veprës përmbajnë edhe vargje vallesh e vajesh të ngjashme me ato të poezisë popullore arbëreshe. Për mënyrën origjinale të trajtimit të subjektit biblik, për lirizmin dhe për mjeshtërinë e përdorimit të mjeteve artistike, poema e Jul Varibobës është vepra më e goditur artistike e letërsisë arbëreshe të shekullit XVIII dhe e vetmja që pa dritën e botimit gjatë atij shekulli. Gjuha e Varibobës është e ngarkuar me përdorimin e tepruar të italianizmave, shpesh të panevojshme. (Në fotografi: Jul Variboba)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2855–2856.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Jul_Variboba

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img