Në Sllovë të Dibrës lindi Elez Isufi, atdhetar dhe udhëheqës popullor në luftën për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare e të tërësisë tokësore të Shqipërisë, dhe për demokratizimin e jetës së vendit. Në krye të forcave atdhetare dibrane, u ndesh me pushtuesit serbë më 1912. Mbështeti qeverinë kombëtare të Vlorës dhe iu kundërvu veprimtarisë separatiste e përçarëse të Esat pashë Toptanit dhe pasuesve të tij. Udhëhoqi kryengritjen e armatosur, që shpërtheu në krahinën e Dibrës më 15 gusht 1920, për çlirimin e tokave të shtetit shqiptar të pushtuara nga forca të armatosura jugosllave. Elez Isufi vazhdoi luftën deri në dhjetor 1921, kur serbët u detyruan të tërhiqeshin përfundimisht në kufirin e vendosur më 1913. Në lëvizjen për demokratizimin e jetës së vendit të viteve 1921–1924, Elez Isufi u radhit në anën e forcave përparimtare. Ishte ndër organizatorët e Lëvizjes së Marsit të vitit 1922; forcat dibrane të udhëhequra prej tij arritën në Tiranë dhe vunë nën kontroll një pjesë të saj. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe luftoi për realizimin e programit të qeverisë demokratike të kryesuar nga Fan Noli. Në betejën e zhvilluar në Peshkopi, më 16 dhjetor 1924, kundër forcave të Ahmet Zogut, u plagos rëndë dhe vdiq pas 13 ditësh. (Në fotografi; Elez Isufi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1053.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Elez_Isufi
Përpunim grafik: AHCF




