Në Sheper të Zagorisë lindi Andon Zako Çajupi, poet e dramaturg, veprimtar atdhetar e demokrat. Kreu mësimet gjysmë të mesme në fshatin Nivan, pranë vendlindjes. Në vitin 1882 shkoi Egjipt, ku ndoqi një lice francez në Aleksandri. Në vitin 1887, nisi studimet e larta në Universitetin e Gjenevës (Zvicër), ku u diplomua në drejtësi (1892). Në vitet 1894–1895 punoi për pak kohë si avokat në Kajro dhe më pas u përfshi në lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Egjiptit, duke u bërë një ndër organizatorët dhe drejtuesit më aktivë të saj. Në rrethet e gjera atdhetare u bë menjëherë i njohur me artikullin “Duke kërkuar një alfabet” (1898), ku trajtonte çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, duke kërkuar përdorimin e alfabetit latin. Si një pjesëmarrës aktiv në lëvizjen atdhetare, në vitin 1919 Çajupi bëhet kryetar i shoqërisë “Vëllazëria”, me qendër në Kajro. Gjatë kësaj kohe ai u bë frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit, që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes në Paris (1919), për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Veprimtaria letrare e Andon Zako Çajupit nis pothuaj në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare. Më 1902, botoi në Kajro vëllimin “Baba Tomorri”, një përmbledhje poezish, ku spikasin stili popullor i ligjërimit poetik, tonet e buta të frymëzimit lirik, si dhe tonet e ashpra satirike. Lirika patriotike e Çajupit, ndonëse vazhdonte traditën e poezisë së Naimit, ishte një dukuri e re për nga patosi dhe figuracioni poetik. Ajo sillte në letërsinë e kohës një frymë më aktuale dhe një ndjeshmëri të re ndaj realitetit shoqëror dhe politik të kohës. Përkundrejt toneve ëndërrimtare të poezisë së Naimit dhe nostalgjisë së tij, poezia e Çajupit shquhet kryesisht për tonet luftarake e notat sarkastike. Në vëllimin “Baba Tomorri” Çajupi shfaqet edhe si një ndër lëvruesit e parë të suksesshëm të baladës. Duke shfrytëzuar motive popullore, ose ndonjë motiv biblik, ai pasuroi baladën shqiptare me problematikë politike e sociale. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi njihet edhe si një ndër lëvruesit e parë të gjinisë dramaturgjike, sidomos të llojit të komedisë. Komeditë “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes” (botuar pas vdekjes së tij, më 1937, por shkruar në vitet 1909–1910), e para një komedi e zakoneve dhe e dyta një komedi politiko-shoqërore, kanë mbetur si vepra klasike në repertorin e teatrit shqiptar. Çajupi mbetet një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë së traditës; shkrimtar atdhetar e demokrat, me veprën e tij i hapi udhën realizmit në letërsinë shqipe. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1957 dhe prehen në memorialin e rilindësve, në Gjirokastër. Emrin e Çajupit e mbajnë institucione kulturore dhe arsimore të vendit. (Në fotografi: Andon Zako Çajupi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 370-372.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Andon_Zako_%C3%87ajupi
Përpunim grafik: AHCF




