Në fshatin Palac Adriano (Sicili), në një familje që kishte nxjerrë studiues të shqipes dhe të traditave arbëreshe, lindi poeti arbëresh Gavril Dara i Riu (1826–1889). Mësimet e shkollës së mesme i kreu në Seminarin italo-arbëresh të Palermos. Më pas studioi për drejtësi. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë. Gjatë viteve 1871–1874 Gavril Dara drejtoi në Romë gazetën politike “La Riforma” (“Reforma”) të Françesko Krispit. Vepra kryesore e Gavril Darës dhe një nga poemat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare, është “Kënga e sprasme e Balës”, që u botua e plotë më 1900–1902, në gazetën arbëreshe “La nazione albanese”. Kjo vepër pasqyron qëndresën e shqiptarëve të prirë nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Interesat letrarë dhe shkencorë të Darës ishin të gjera dhe përfshinin: poezinë, folklorin, filozofinë, arkeologjinë dhe drejtësinë. Gavril Dara u përpoq të afronte arbërishten me gjuhën që flitej në trojet shqiptare. (Në fotografi: Gavril Dara)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 415.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Gabriele_Dara
Përpunim grafik: AHCF




