Në Vjenë, Austri, lindi Teodor Anton Ipen (Theodhor Ippen), diplomat dhe albanolog austriak. Karrierën konsullore e filloi në moshë të re në Kryekonsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër, më 1884. Pas një ndërprerjeje u rikthye më 1893 dhe vazhdoi të shërbejë si titullar i kësaj përfaqësie deri më 1904. Në kuadër të Kultusprotektoratit (protektorati i kultit si e drejtë që kishte Austria për të qenë mbrojtëse e popullsisë katolike të Shqipërisë) dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit shqip në vilajetin e Shkodrës. Më 1912–1913, gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), shërbeu si këshilltar i kontit Mensdorf. U përpoq për të arritur një zgjidhje sa më të favorshme të çështjes së kufijve për shtetin e pavarur shqiptar. Gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe më pas u interesua për historinë shqiptare, duke gjurmuar monumentet mesjetare. Vlen të përmenden punimet e tij “Beiträge zur inneren Geschichte Albaniens im XIX Jahrhundert” (“Kontribute për historinë e brendshme të Shqipërisë në shekullin XIX”), botuar në “Illyrisch-Albanische Forschungen” (I Band, 1916), “Deux episodes de l’histoire de l’Albanie” (“Dy episode nga historia e Shqipërisë”, botuar në “Albania”, 1927, 2), “Skutari und Nordalbanische Kustenebene” (“Shkodra dhe ultësira bregdetare e Shqipërisë Veriore”, Sarajevë, 1907) etj. U nda nga jeta në Vjenë, në vitin 1935. (Në fotografi: Teodor Ipen)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1046–1047.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Theodor_Anton_Ippen
Përpunim grafik: AHCF




