Në Kavajë lindi Spiro Moisiu, ushtarak i lartë, luftëtar antifashist. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Austri (1918). Pas kthimit në atdhe shërbeu në armën e xhandarmërisë (1918–1919). Mori pjesë në forcat mbrojtëse të Kongresit të Lushnjës (1920). Komandoi trupa qeveritare kundër ndërhyrjes së shovinistëve serbë (shtator–tetor 1920, në Kaptinën e Martaneshit). U gradua nëntoger (1923). Më 1924 u radhit në krahun e Revolucionit të Qershorit 1924. Pas ardhjes së Ahmet Zogut në fuqi, u rimor në ushtri (1 janar 1925). Shërbeu në detyra të ndryshme në ushtri deri në komandant batalioni. Kreu kursin njëvjeçar për oficerë madhorë dhe u gradua major (1937–1938). Si komandant i batalionit të kufirit në zonën Shkodër-Shëngjin, udhëhoqi qëndresën kundër agresionit fashist italian më 7 prill 1939. Gjatë Luftës italo-greke (tetor 1940 – prill 1941), Spiro Moisiu, në krye të batalionit “Tomorri” që komandonte, kundërshtoi të merrte pjesë në veprimet luftarake kundër ushtrisë greke në zonën e Korçës, dhe bashkë me batalionet tjera shqiptare, braktisi frontin e luftës. Për këtë akt u lirua nga ushtria, u internua me batalionin e tij në kampin e përqendrimit në Shijak dhe u dënua me vdekje. Për të zbutur opinionin politik, u rimor në formacionet shqiptare (1941), por u nxor në lirim (1942), pasi u lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Veproi në rrethin e Lushnjës, ku u zgjodh kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar për Myzeqenë (1942). Atje veproi për mobilizimin e popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për organizimin e formacioneve partizane (të çetës dhe batalionit “Myzeqeja”, prill 1943) dhe u pranua anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare (prill 1943). Në mbledhjen e Labinotit (korrik, 1943) Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e caktoi komandant (kryetar) të Shtabit të Përgjithshëm. Në Kongresin e Përmetit (Kongresi i Parë Antifashist Nacionalçlirimtar) u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane dhe Vullnetare Nacionalçlirimtare dhe u gradua gjeneralmajor. Pas çlirimit, kreu detyrën e kryetarit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe udhëhoqi fillimin e modernizimit të Ushtrisë Kombëtare (1945–1946). Në vitin 1947 u nxor në lirim (pension i parakohshëm). U rimor në ushtri në janar 1949 dhe u caktua kryetar i Komisionit të Rregulloreve Ushtarake dhe komandant i Garnizonit të Tiranës (1949–1956). Në vitin 1963 u gradua gjenerallejtënant. Më 1966 doli në lirim (oficer në rezervë). U nda nga jeta në vitin 1981. Spiro Moisiu ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Është dekoruar me urdhra e medalje të luftës e të shërbimit ushtarak. Akademia e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë mban emrin e tij. (Në fotografi: Spiro Moisiu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1755–1756.
Fotografia: © https://www.wikidata.org/wiki/Q4501482
Përpunim grafik: AHCF




