Petro Marko

Lexo ngjarje:

Në Dhërmi të Himarës lindi Petro Marko, shkrimtar, publicist, luftëtar antifashist. Kreu Shkollën Tregtare në Vlorë (1932). Në vitet ’30 të shekullit XX ka qenë bashkëpunëtor dhe redaktor i revistave “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj. Mori pjesë në grupet e para komuniste dhe në veprimtarinë e tyre. Më 1936 shkoi vullnetar në Brigadat Ndërkombëtare në Luftën e Spanjës, dhe pas dështimit të saj, kaloi në Francë (1939–1940). U kthye në Shqipëri (1940), ku shumë shpejt e burgosin si antifashist i njohur dhe e internojnë në ishullin e Ustikës (Itali, 1941). Si shpëtoi prej internimit (1943) po në Itali, hyri në një njësit partizan me kroatë, serbë, malazezë dhe italianë. Punoi pak kohë në Romë në gazetat “Unita” dhe “Avanti”. Sapo u kthye në atdhe (tetor, 1944) u radhit në brigadat partizane. Më 1945 u emërua kryeredaktor i gazetës së vetme të përditshme “Bashkimi”. U burgos më 1947 për motive politike dhe u lirua më 1951. I pasionuar pas vizioneve komuniste për një botë të drejtë e të barabartë, ai kishte qenë anëtar i partive komuniste të Spanjës, Francës dhe Italisë. Megjithatë Petro Marko kaloi një jetë të trazuar (për një kohë u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe iu hoq e drejta e botimit), sepse vepra e tij e hapur keqkuptohej e stigmatizohej hera-herës prej praktikave zyrtare që shoqëronin dhe mbikëqyrnin zhvillimet e letërsisë së realizimit socialist. Petro Marko ka shkruar poezi, tregime, romane, drama, publicistikë, kujtime etj. Poezitë e para të tij kishin frymë romantike. Ato shprehnin përjetimet e një shpirti të rebeluar, të idealistit që kërkon lirinë, të vërtetën dhe poezinë. Poezia e tij e mëvonshme përftonte theks të fortë shoqëror kundër tiranisë, varfërisë dhe pabarazisë shoqërore. Vjershat e shkruara në Spanjë, Francë dhe në burgun fashist, frymëzoheshin prej ideve proletare e socialiste. Të shkruara shpesh dhe me varg të lirë, të pasura me figura të mendimit, poezitë e Petro Markos luajtën rolin e vet në risimin e poezisë shqipe në vitet ’30 –’50 të shekullit XX. Humanizmi i veprës së tij ishte pjesë e asaj shtrese të konstitucionit shpirtëror të krijuar në Evropën e pasluftës, që kërkonte një shoqëri pa luftëra, pa dallime kombëtare e racore, një botë që të mos njihte pabarazinë shoqërore, ku secili të kishte mundësi të realizonte plotësisht veten e tij. Vepra e tij më e arrirë, romani “Qyteti i fundit” (1960), i kushtohej humanizmit gjithënjerëzor dhe dashurisë së çiltër, larg çdo tabuje morale. Proza e Petro Markos dallohet për rrëfimin e zhdërvjelltë dhe të rrjedhshëm, sidomos për shumësinë dhe vërtetësinë e ngjarjeve. Personazhet e prozës së tij karakterizohen më tepër me anë të dialogut të thuket e shpesh dramatik, por herë-herë edhe patetik. Bota e tyre e brendshme zbulohet edhe nëpërmjet monologut me detaje psikologjike. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1991. (Në fotografi: Petro Marko)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1631–1632.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Petro_Marko

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img