Në Shkodër lindi Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla), poet dhe prozator. Lindi në Shkodër në vitin 1911. Në vendlindje mori mësimet e para. Shkollën qytetëse e kreu në Tivar, në vitet 1929–1933 ndoqi Seminarin Teologjik të Manastirit. Pasi u kthye në atdhe, punoi si mësues i shkollës fillore në Vrakë (Shkodër) dhe në Pukë. Në ato kohë iu rëndua sëmundja e mushkërive, e cila i qe shfaqur që kur ishte në seminar. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për t’u kuruar dhe për të ndjekur studimet e larta për letërsi. U shtrua në një sanatorium pranë Torinos, ku u nda nga jeta në vitin 1938. Krijimet e para, vjersha dhe skica, Migjeni nisi t’i botonte në revistat “Illyrija”, “Bota e re” etj. Vepra e plotë e Migjenit u botua prej Skënder Luarasit, më 1957, nën kujdesin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Më pas krijimtaria e tij është botuar disa herë në Tiranë dhe në Prishtinë. Poezia e Migjenit solli në letërsinë shqipe një problematikë të re, jetën e shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare, temën e mjerimit e të pasojave të tij morale, përjetimin artistik të domosdoshmërisë së ndryshimit dhe vegimin e një bote tjetër, më të mirë e më të drejtë. Ajo përvijoi tiparet e një humanizmi që flakte mitet, kultet dhe gjithfarë qëndrimesh irracionale e sentimentale. Proza rrëfimtare e Migjenit, megjithëse nuk u botua me gjallje të tij, ishte shprehje e drejtpërdrejte e nevojës që ndiente procesi letrar i kohës për të braktisur vizionet romantiko-sentimentaliste dhe idhujt e vjetruar. Materialist në bindjet e veta, Migjeni kishte arritur ta kuptonte se psikja e individit përcaktohej prej gjendjes së tij ekonomike, dhe, pikërisht për këtë arsye, ai duhej përshkruar në vartësinë e tij prej realitetit të marrëdhënieve të egra e të ndërlikuara shoqërore. Vepra e Migjenit sfidonte në çdo pikëpamje; ajo ishte shprehje e shqetësimeve të mundimshme të jetës shpirtërore shqiptare që ftonin për të përfytyruar një shoqëri njerëzore në të cilën individi, i njohur dhe i kuptuar së fundmi, do të realizohej plotësisht në të gjitha ndërlikimet e tij ekzistenciale. Migjeni ka qenë dhe mbetet ndër shkrimtarët më të lexuar të letërsisë shqipe. Krijimtaria e tij luajti një rol të madh reformues e risues në letërsinë shqiptare; ajo ishte pamja më e shënjuar e takimit të saj me zhvillimet moderne të letërsisë evropiane. Kjo është një ndër arsyet që ajo është përkthyer në disa gjuhë. U nda nga jeta në një sanatorium pranë Torinos (Itali), në vitin 1938. (Në fotografi: Millosh Gjergj Nikolla)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1708-1710.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




