Në lagjen “Kala” të Beratit lindi Jorgji Karbunara (Babë Dudë Karbunara), atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare, Mësues i popullit. Mësimet e para i mori në vendlindje. Studimet e mëtejshme i vijoi në Korfuz në një shkollë dyvjeçare mësuesie, më pas në Trieste (Itali), ku përfundoi gjimnazin klasik. Mori një kulturë të gjerë për kohën, njihte disa gjuhë të huaja, greqishten, italishten, frëngjishten si dhe latinishten. Pas kthimit në atdhe iu kushtua tërësisht çështjes së çlirimit kombëtar. Në vitet ’70 të shekullit XX pati takime në Berat me Naim Frashërin, më pas me Kostandin Kristoforidhin e Hasan Tahsinin. Jorgji Karbunara së bashku me Dhimitër Kolenë, Gjergj Stefën, Mehmet Myftiun etj., ishte ndër themeluesit e Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat (22 qershor 1878). Jorgji Karbunara punoi për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe të ideve kombëtare. Përdorte për këtë qëllim edhe shkollat e huaja në Berat e në fshatrat përreth. Për veprimtarinë e tij atdhetare fitoi nderimin e bashkëqytetarëve që e quajtën Babë. U përndoq nga autoritetet osmane, të cilat i dogjën shtëpinë në shtator 1894. Jorgji Karbunara ishte ndër nismëtarët e shoqërisë “Bashkimi”, që u themelua në Berat më 20 korrik 1898. Pas shpalljes së Kushtetutës, Jorgji Karbunara, duke pasur mbështetjen e atdhetarëve të tjerë e të popullit të Beratit, hapi më 4 gusht dy shkolla shqipe në Berat: shkollën e “Tregut”, ku jepnin mësim vetë Babë Dudë Karbunara e Sulo Resuli dhe atë të Muratçelepisë, ku jepnin mësim Islam Vrioni e Kahreman Vrioni. Jorgji Karbunara ishte një ndër themeluesit e klubit “Bashkimi” të Beratit (1908), në të cilin u zgjodh zv.kryetar, dhe një ndër organizatorët kryesorë të mitingut të protestës që u mbajt në Berat (28 shkurt 1910) për të mbrojtur alfabetin shqip, kundër futjes së alfabetit arab. Mori pjesë në lëvizjen kombëtare që u zhvillua në Berat gjatë kryengritjeve të viteve 1911–1912. Me nismën e tij, në vitin 1911 u formua dega e Komitetit të Shqiptarëve për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, që vendosi lidhje me komitetet që vepronin në qytetet e krahinat e tjera të Shqipërisë. Mori pjesë si përfaqësues i popullit të Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës (1912) që Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, ku u zgjodh anëtar i Pleqësisë. Gjatë kryengritjes kundër Princ Vidit të vitit 1914, u arrestua dhe u torturua nga rebelët e Musa Qazimit. U nda nga jeta në Berat, në vitin 1917. Më 1937, në 20-vjetorin e vdekjes, nga bashkëqytetarët iu ngrit një bust në shenjë nderimi. (Në fotografi: Jorgji Karbunara)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1123–1124.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Bab%C3%AB_Dud_Karbunara
Përpunim grafik: AHCF




