Në Tiranë lindi Petro Zheji, përkthyes e studiues. Në vendlindje kreu studimet e mesme e të larta, fillimisht për matematikë e më pas në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Punoi në arsim e më pas si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Për shkak të mendimeve të lira pati pasoja dhe kufizime të të drejtave të krijimtarisë. Ka përkthyer shqip një varg romanesh nga autorë të mëdhenj të letërsisë botërore, si “Don Kishoti i Mançës” (vëll. II, Servantes), “Ringjallja” (L. Tolstoi), “Foma Gordejev” (M. Gorki), “Kambanat e Bazelit” (L. Aragon) etj. Përkthimet e tij dallohen për përpunimin e kujdesshëm të frazës sipas natyrës së shqipes, për pasurinë e fjalorit dhe krijimet origjinale të goditura. Petro Zheji është marrë dhe me studime, në të cilat ka synuar të zbatojë dijet matematike në parashtrimin dhe argumentimin e pikëpamjeve të tij për burimin e shqipes dhe të raportit të saj me gjuhë të tjera të familjes indoevropiane, veçanërisht me sanskritishten. Studimet e tij në këtë fushë janë sintetizuar në veprën “Shqipja dhe sanskritishtja” në dy vëllime (2001, 2006). U nda nga jeta në vitin 2015. (Në fotografi: Petro Zheji)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 3020.
Fotografia: © https://a2news.com/
Përpunim grafik: AHCF




