U zhvillua “Beteja e Selcës”, një nga përpjekjet më të mëdha të armatosura të Kryengritjes kundërosmane të vitit 1911, kur shqiptarët u ndeshën me forcat ushtarake osmane të komanduara nga Ethem Pasha, i cili në krye të gjashtë batalioneve u hodh kundër kryengritësve për t’i ardhur në ndihmë Shefqet Turgut pashës. Rreth 1000 kryengritës shqiptarë iu kundërvunë forcave të Ethem Pashës dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, e detyruan atë të tërhiqej duke lënë në fushën e betejës 150 ushtarë. Kjo bëri që të dështonte plani i komandës osmane për t’i vënë kryengritësit midis dy zjarreve, duke bashkuar forcat e Ethem Pashës me ato të komandantit të ekspeditës osmane, Shefqet Tungut pashës, që vinin nga jugu drejt Malësisë së Mishkodrës. Pas betejës, komanda osmane hoqi dorë nga ndërmarrja e veprimeve të mëtejshme luftarake. Qeveria xhonturke u detyrua të hynte në bisedime me udhëheqësit e kryengritjes dhe të nënshkruante Marrëveshjen e Podgoricës (1911). (Në fotografi: Pamje nga Selca (Malësi e Madhe).)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 232.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Selca_(Mal%C3%ABsi_e_Madhe)
Përpunim grafik: AHCF




