Andon Zako Çajupi

Lexo ngjarje:

Në Egjipt u nda nga jeta Andon Zako Çajupi, poet e dramaturg, veprimtar atdhetar e demokrat. Lindi në Sheper të Zagorisë, në vitin 1866. Kreu mësimet gjysmë të mesme në fshatin Nivan, pranë vendlindjes. Në vitin 1882 shkoi Egjipt, ku ndoqi një lice francez në Aleksandri. Në vitin 1887, nisi studimet e larta në Universitetin e Gjenevës (Zvicër), ku u diplomua në drejtësi (1892). Në vitet 1894–1895 punoi për pak kohë si avokat në Kajro dhe më pas u përfshi në lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Egjiptit, duke u bërë një ndër organizatorët dhe drejtuesit më aktivë të saj. Në rrethet e gjera atdhetare u bë menjëherë i njohur me artikullin “Duke kërkuar një alfabet” (1898), ku trajtonte çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, duke kërkuar përdorimin e alfabetit latin. Si një pjesëmarrës aktiv në lëvizjen atdhetare, në vitin 1919 Çajupi bëhet kryetar i shoqërisë “Vëllazëria”, me qendër në Kajro. Gjatë kësaj kohe ai u bë frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit, që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes në Paris (1919), për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Veprimtaria letrare e Andon Zako Çajupit nis pothuaj në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare. Më 1902, botoi në Kajro vëllimin “Baba Tomorri”, një përmbledhje poezish, ku spikasin stili popullor i ligjërimit poetik, tonet e buta të frymëzimit lirik, si dhe tonet e ashpra satirike. Lirika patriotike e Çajupit, ndonëse vazhdonte traditën e poezisë së Naimit, ishte një dukuri e re për nga patosi dhe figuracioni poetik. Ajo sillte në letërsinë e kohës një frymë më aktuale dhe një ndjeshmëri të re ndaj realitetit shoqëror dhe politik të kohës. Përkundrejt toneve ëndërrimtare të poezisë së Naimit dhe nostalgjisë së tij, poezia e Çajupit shquhet kryesisht për tonet luftarake e notat sarkastike. Në vëllimin “Baba Tomorri” Çajupi shfaqet edhe si një ndër lëvruesit e parë të suksesshëm të baladës. Duke shfrytëzuar motive popullore, ose ndonjë motiv biblik, ai pasuroi baladën shqiptare me problematikë politike e sociale. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi njihet edhe si një ndër lëvruesit e parë të gjinisë dramaturgjike, sidomos të llojit të komedisë. Komeditë “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes” (botuar pas vdekjes së tij, më 1937, por shkruar në vitet 1909–1910), e para një komedi e zakoneve dhe e dyta, një komedi politiko-shoqërore, kanë mbetur si vepra klasike në repertorin e teatrit shqiptar. Çajupi mbetet një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë së traditës; shkrimtar atdhetar e demokrat, me veprën e tij i hapi udhën realizmit në letërsinë shqipe. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1957 dhe prehen në memorialin e rilindësve, në Gjirokastër. Emrin e Çajupit e mbajnë institucione kulturore dhe arsimore të vendit. (Në fotografi: Andon Zako Çajupi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 370–372.

Fotografia: © https://commons.wikimedia.org/

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img