Në Padova të Italisë lindi Zef (Joseph) Valentini, klerik italian i Urdhrit të Jezuitëve, albanolog. U diplomua në filozofi dhe në teologji në Universitetin Papnor Gregorian të Romës. Shërbeu në Shqipëri nga viti 1922 deri më 1943 (me ndërprerje të shkurtra). U caktua misionar i Urdhrit Jezuit në Shkodër, duke punuar fillimisht mësues i letërsisë e më pas drejtor në Kolegjën Saveriane. Shumë shpejt mësoi gjuhën shqipe dhe u angazhua në lëvizjen kulturore shqiptare të atyre viteve. Në Shkodër drejtoi revistën “Leka”, ku botoi artikuj të shumtë të fushave të ndryshme, të historisë, gjuhësisë, letërsisë, teologjisë, të së drejtës zakonore etj. Gjatë viteve 1933–1939 drejtoi dhe revistën fetare “Lajmëtari i zemrës së Jezu Krishtit”. Bashkëpunoi gjithashtu me revistën kulturore të françeskanëve “Hylli i Dritës”, si dhe me revistën “Drini” etj. Ishte bashkëpunëtor edhe i revistave të ndryshme kulturore italiane, si: “Quaderni di Dante” (“Fletoret e Dantes”), “Civiltà catolica” (“Qytetërimi katolik”) etj. Pas largimit nga Shqipëria, më 1943, Zef Valentini e vazhdoi punën në fushën e albanologjisë. Studimet e tij për shqiptarët i vijoi në Sicili, në katedrën e Albanologjisë pranë Universitetit të Palermos. Në vitin 1950 drejtoi Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare pranë këtij universiteti. Studimet e Zef Valentinit përbëjnë ndihmesë me vlerë të veçantë për njohjen e historisë mesjetare në përgjithësi. Botoi veprën madhore në 27 vëllime “Acta Albaniae Veneta saeculorum XIV et XV” (“Akte venedikase për Shqipërinë të shekujve XIV–XV”). U nda nga jeta në Palermo, më 1979. (Në fotografi: Zef Valentini)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2845.
Fotografia: © https://www.vaticannews.va/
Përpunim grafik: AHCF




