Gjergj Fishta

Lexo ngjarje:

Në Shkodër u nda nga jeta Gjergj Fishta, poet, klerik i lartë, estet, politikan, polemist, dramaturg. Lindi në Fishtë të Zadrimës, në vitin 1871. U njoh dhe u pranua që në të gjallë të tij si poet kombëtar me poemën epike “Lahuta e Malcis”. Ndikimi dhe kontributi qe i madh edhe përtej letërsisë dhe, përveçse si shkrimtar, Fishta qe i njohur edhe si klerik dhe politikan, si publicist dhe themelues institucionesh mediatike kulturore e arsimore. Shkollimin fillor e nisi në Seminarin Françeskan të Shkodrës dhe e vazhdoi në seminarin e Troshanit. Studimet e larta për filozofi e teologji i kreu në Bosnjë, në Kuvendin e Sutjeskës dhe të Livnos. Këtu bie në kontakt me veprat e poetëve sllavë, si Grga Martiq, Petar Petroviq Njegosh, dhe sidomos të autorit të tij të preferuar Ivan Mazhuraniq, ndikimi i të cilëve duket të ketë qenë i madh në këtë fazë, krahas autorëve të antikitetit grek e latin. U shugurua prift në vitin 1894, si klerik i Urdhrit Françeskan dhe fill pas kësaj i përkushtohet veprimtarisë intensive klerikale, kulturore e politike. Ishte një nga aktivistët e shoqërisë kulturore “Bashkimi” dhe përfaqësues i saj në Kongresin e Manastirit (1908), ku edhe u zgjodh bashkëkryetar i Komisionit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në vitin 1913 themeloi revistën “Hylli i Dritës” dhe ishte kryeredaktori i parë i saj. Ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Ndërkohë viti 1921 e gjen deputet në parlamentin shqiptar dhe nënkryetar të këtij parlamenti. Në vitin 1921 themeloi gjimnazin françeskan “Illyricum” në Shkodër. Në vitet 1935–1938 u zgjodh provincial i “Urdhrit françeskan” dhe një vit më pas u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Italisë. Përveç si poet epik përmes “Lahutës së Malcis”, Fishta krijon me sukses edhe në gjinitë lirike dhe dramatike. Prozën e ushtroi vetëm përmes publicistikës. Famën si poet kombëtar apo si “Homeri shqiptar” Fishta e fitoi përmes poemës epike “Lahuta e Malcis”. Vepra e plotë me 30 këngët e saj u shfaq në vitin 1937, pra poetit iu deshën plot 32 vjet për ta përfunduar kryeveprën e tij, gjë që tregon se vetë poeti e vlerësonte këtë vepër mbi të gjitha veprat e tij. Si lirik, ndërkaq, Fishta u realizua përmes poezive të përmbledhura në botimet “Mrizi i Zanave” dhe “Vallja e Parrizit”. Vëllimi i parë është më tepër në vazhdën e lirikës dhe emocionit patriotik të Rilindjes; vëllimi i dytë është në vazhdën e literaturës metafizike religjioze. Mbizotëruese edhe këtu është poezia e angazhuar herë në funksion të etnisë, herë në funksion të besimit. Por në poemën “Nji lule vjeshtet”, Fishta shfaqet si lirik i pastër i intimes, i dhimbjes njerëzore, i mallit për humbjen e njeriut të dashur, si metafizik i jetës dhe vdekjes, i dashurisë ose i erosit pikërisht në kuptimin platonian të termit. Kjo poemë është ndër poezitë më të mira lirike, jo vetëm të Fishtës, por edhe të krejt lirikës shqipe. U nda nga jeta më 1940 dhe u varros me nderime të mëdha nga qyteti i Shkodrës. Pas vendosjes së regjimit komunist, vepra e tij shpallet reaksionare dhe i ndalohet qarkullimi. Në vitin 1967 varri i Fishtës u dhunua nga regjimi komunist dhe eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin. Vepra e tij vazhdoi të komunikonte me lexuesit në Kosovë dhe në diasporë. Për herë të parë vepra e tij e plotë u botua në Prishtinë, në vitet 1996–1997. (Në fotografi: Gjergj Fishta)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 450–451.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Gjergj_Fishta

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img