U pushkatua Dali Ndreu, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjeneral. Lindi në Sllovë (Peshkopi), në vitin 1912. Në vitin 1931 kreu Shkollën e Plotësimit për artileri në Tiranë dhe u gradua nëntoger. Fillimisht u caktua në Degën e Rekrutimit në Përmet; më 1933 u emërua në divizionin “Kosova” në degën e artilerisë. Për shkak të pjesëmarrjes në Kryengritjen e Fierit, u arrestua dhe iu hoq e drejta e gradës. Pas daljes nga burgu, braktisi karrierën ushtarake dhe studioi për ekonomi në Universitetin e Firences. Për shkak të pushtimit fashist ndërpreu studimet dhe u kthye në vendlindje, ku nisi veprimtarinë antifashiste. Me krijimin e çetës partizane të Sllovës (shkurt 1943), u zgjodh komandant i saj. Në korrik 1943, u zgjodh anëtar dhe zv.komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare; më pas u caktua dhe komandant i Brigadës III Sulmuese. Me krijimin e Divizionit I Sulmues u emërua komandant i tij dhe në gusht 1944, u caktua komandant i Korparmatës I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Dali Ndreu udhëhoqi operacionet për çlirimin e Tiranës, të Lezhës e të Shkodrës. Në maj 1944 iu dha grada kolonel, ndërsa në shtator të po atij viti u gradua gjeneralmajor. Pas çlirimit u caktua në detyra të rëndësishme dhe u zgjodh deputet i Dibrës në Kuvendin Popullor që në legjislaturën e parë. Pas dënimit të grupit të deputetëve (1945) u lirua nga ushtria dhe u përndoq. Në gusht 1956, pas Konferencës së Partisë së Punës së Shqipërisë për Tiranën, u arrestua me akuzën “për veprimtari aktive për rrëzimin e pushtetit popullor”, u dënua me vdekje së bashku me të shoqen Liri Gega dhe u pushkatua në dhjetor 1956. (Në fotografi: Dali Ndreu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1826.
Fotografia: © https://telegraf.al/wp-content/uploads/2020/11/sdddddddddddddddddd.jpg
Përpunim grafik: AHCF




