Në Tiranë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar, institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar punoi një grup pune i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara, si Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksandër Meksi e shumë të tjerë. Secila nga sallat e ekspozimit ka arkitekturë të veçantë, duke shmangur kështu monotoninë dhe përsëritjen. Çdo sallë përcjell mesazhin dhe atmosferën e periudhës së cilës i përket. Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 18 000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81 000 m3. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në ballinën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar është një mozaik me përmasa 37 x 11 m dhe me lartësi 10 m. Ai zë një sipërfaqe prej 400 m2. Mozaiku titullohet “Shqipëria”. Pavijonet, që funksionuan deri në vitin 1992, ishin: Lashtësia, Mesjeta, Rilindja Kombëtare, Pavarësia, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Socializmi. Në vitin 1996 u ngrit pavijoni i “Persekutimit komunist”, ndërsa në vitin 1999 u ngrit pavijoni i Ikonave. Në kuadër të 60-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, në vitin 2004, u ringrit pavijoni i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Aktualisht, Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, Mesjeta, Ikonografia, Rilindja Kombëtare, Pavarësia, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe “Persekutimi komunist”. (Në fotografi: Pamje ballore e Muzeut Historik Kombëtar.)
Teksti: Udhërrëfyesi i Muzeut Historik Kombëtar, Muzeu Historik Kombëtar, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2020, faqe 4–7.
Fotografia: © https://www.mhk.gov.al/
Përpunim grafik: AHCF




