Në kënetën e Maliqit, Papa Josif Mihali (Papamihali), u varros i gjallë; klerik katolik i ritit bizantin, martir i Kishës. Lindi në Elbasan, në vitin 1912. Studimet i kreu në seminarin “Benedikti XI”, në Grotaferrata (Itali); studimet e filozofisë dhe të teologjisë i kreu në Seminarin e Shën Atanazit në Romë, ku dhe u shugurua, më 1 dhjetor 1935. Një vit më vonë u kthye në Shqipëri dhe u caktua famullitar i Kishës së Shën Pjetrit në Elbasan. U arrestua në vitin 1945, dhe u dërgua me punë të detyruar në Korçë. I rraskapitur nga lodhja, meqë nuk mund të punonte më, e varrosën të gjallë në kënetën e Maliqit. U shpall martir i Kishës nga Papa Françesku, në prill të vitit 2016. (Në fotografi: Papa Josif Mihali)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 343.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Josif_Papamihali
Përpunim grafik: AHCF




