Në Tiranë u vra Ilaz Agushi, veprimtar i çështjes kombëtare, antikomunist. Ishte i biri i Xhemajl Agushit. Lindi në Prishtinë, në vitin 1903. Mësimet fillore i kreu në Prishtinë, ndërsa Kolegjin e Diturive Filozofike e mbaroi në Stamboll. U punësua në postën e Stambollit, ku nisi aktivitetin politik kombëtar, duke u lidhur me Komitetin Shqiptar të Stambollit dhe me Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Nga fundi i viteve ’20 dhe ’30 të shekullit XX, Ilaz Agushit iu besua administrimi i vakëfit të Bashkësisë Islame të Prishtinës. Nga pjesa e dytë e viteve ’30 e gjejmë anëtar të këshillit drejtues të Organizatës së Myslimanëve dhe drejtor të vakëfit në Shkup. Më 1938 u zgjodh deputet në Parlamentin e Mbretërisë së Jugosllavisë për rrethin e Ferizajt. Më 1941 kontribuoi në vendosjen e udhëheqjes shqiptare në komunën dhe prefekturën e Prishtinës, si prefekti i parë shqiptar. Kontribuoi gjithashtu në hapjen e Liceut “Sami Frashëri”, në Prishtinë. Ishte ministër, Sekretar Shteti për Punë Botërore në Tiranë në kabinetin e Mustafa Krujës nga 3 dhjetori 1941 deri më 14 shtator 1943. Për ribashkimin dhe mbrojtjen e Rozhajës, të Bihorit, të Sjenicës dhe të Novi-Pazarit, Ilaz Agushi, me shpenzimet familjare, rekrutoi dhe armatosi 6 000 vullnetarë. Mbante kontakte dhe lidhje me Fadil Hoxhën, përmes Hajdar Dushit. Pati takim të fshehtë me Fadil Hoxhën në Ferizaj. Më 28 tetor 1943, iu organizua atentat në shtëpinë e tij. Vrasjen e mori mbi vete Shtabi i Përgjithshëm i Aradheve Partizane të Kosovës. (Në fotografi: Ilaz Agushi)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 15.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Iljaz_Agushi
Përpunim grafik: AHCF




