Në Prishtinë u nda nga jeta Burbuqe Berisha, regjisore, producente. Lindi në Shkup, në vitin 1970. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prishtinë. Studimet për regji filmi i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Është autore e filmave dokumentarë me metrazh të shkurtër dhe e filmave televizivë. Bëri regji edhe në teatër. Punoi si producente në “Kosovafilm” dhe ishte drejtore në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Disa nga realizimet e saj janë: “Lexi në qytet” në dhjetë episode, “Ashensori”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Dimni i shpirtit”, “Viti 2000”, “Gratë” etj. Nga filmat e saj dokumentarë shquhen “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, “Të rritur në rrugë” etj. Ka bërë disa shfaqje teatrore, prej të cilave veçohen: “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, “Darka private” etj. (Në fotografi: Burbuqe Berisha)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 159.
Fotografia: © https://kallxo.com/lajm/vdiq-regjisorja-burbuqe-berisha/
Përpunim grafik: AHCF




