Në Shkodër lindi Guljem Deda, përkthyes. Lindi në një familje të njohur intelektuale dhe patriote. Më 1937 diplomohet në Universitetin e Padovës, në degën letërsi-filozofi. Laureohet me studimin mbi gjuhën e Cuneus Profetarum (“Çeta e profetëve”) të Pjetër Bogdanit, me vlerësimin më të lartë. I kthyer në Shqipëri, emërohet profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë greke dhe latine në gjimnazin e Shkodrës, deri më 1939. Më 1942 themelon e boton revistën “Balli i Kombit”, që e drejton deri më 1943, një revistë për rininë shqiptare me përmbajtje të zgjedhur e frymë kombëtare. Me vendosjen e sistemit komunist, i pushkatohen gjashtë pjesëtarë të familjes. Në dhjetor 1944 arrestohet e dënohet me pesë vite burg me punë të rëndë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës elektorale “për krime kundër shtetit”. Lirohet më 1950, pasi punoi në kampet e punës, dhe dërgohet në guroren e malit Tarabosh. Më 1954 arrestohet e burgoset në kampin e Shtyllasit, bashkë me 50 intelektualë të tjerë shkodranë, ku hapin kanalin Vjosë-Levan-Fier. Prej këtu izolohet në kampin e Kuçit të Vlorës. Aty nisi përkthimin e poemës epiko-heroike L’Orlando furioso të Lodovico Ariosto-s. Në kushte të pamundshme e me mungesa të mëdha, pas 17 vitesh punë të pandarë, arriti ta përkthejë në shqip këtë kryevepër të letërsisë italiane prej 40 000 vargjesh. E kaloi thuajse gjithë jetën ndër burgje e kampe internimi. Më 1990 shkoi në Itali, i sëmurë dhe i sfilitur nga vuajtjet e rënda. U nda nga jeta në Peruxhia të Italisë, në vitin 1994. (Në fotografi: Guljem Deda)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. II, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2013, faqe 68.
Fotografia: © http://www.radiandradi.com/guljem-deda-nga-vdekja-ne-keneten-e-maliqit-te-presionet-e-sigurimit-e-deri-te-kryevepra-ne-internim-tregim-deshmi-nga-lek-pervizi/
Përpunim grafik: AHCF




