Nën kryesinë e përhershme të ministrit të Jashtëm anglez, në Londër filloi punimet Konferenca e Ambasadorëve, organi i gjashtë Fuqive të Mëdha të kohës: Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Rusisë. Që në ditën e parë të punimeve të saj, më 17 dhjetor, konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Çështja u diskutua në dy aspektet e saj kryesore: e ardhmja politike e Shqipërisë dhe caktimi i kufijve. Për pikën e parë ambasadorët vendosën që “të krijohej” një Shqipëri autonome “nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit”, që ajo të vihej “nën garancinë dhe kontrollin ekskluziv të Gjashtë Fuqive” dhe të shpallej “asnjanëse”. Ky vendim i konferencës, ndonëse vuloste dështimin e planeve shoviniste të qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, ishte një hap prapa në krahasim me vendimet e Kuvendit të Vlorës dhe, përgjithësisht, binte në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, prej nëntorit e këtej. Ndërsa Kuvendi i Vlorës kishte shpallur shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe pavarësinë e saj të plotë, Konferenca e Londrës vendosi ta linte atë ende në kuadrin e Perandorisë, duke i njohur vetëm të drejtën e autonomisë së brendshme. Veç asaj, Konferenca e Londrës vendosi të mos përfillte asgjë nga gjithë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e gjalla të vendit. Kështu, ajo ngarkoi Austro-Hungarinë e Italinë, si një lëshim për “interesat e tyre të posaçëm” në Shqipëri, që të hartonin dhe të paraqitnin një projekt më të hollësishëm të organizimit të shtetit autonom shqiptar. Në lidhje me kufijtë, në seancën e saj të parë konferenca mori vetëm vendime të përgjithshme. Ajo vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë. Kjo kishte të mirën e saj sepse, duke caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, i mbyllej rruga shtrirjes tokësore të Serbisë drejt Adriatikut. Por kërkesa e vjetër e Serbisë për një “dalje në Adriatik” nuk u hodh krejtësisht poshtë. Ambasadorët i njohën Serbisë të drejtën që të kishte një dalje tregtare në det nëpërmjet një skele shqiptare “të lirë dhe asnjanëse”. Kjo skelë do të shfrytëzohej nëpërmjet një hekurudhe ndërkombëtare nën kontrollin evropian dhe nën mbikëqyrjen e një force të posaçme ndërkombëtare me liri kalimi për të gjitha llojet e mallrave, duke përfshirë edhe materialet e luftës. Ky ishte cungimi i parë që i bëhej sovranitetit tokësor të shtetit të ri shqiptar. (Në fotografi: Moment nga Konferenca e Ambasadorëve, 1913.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 20.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/London_Conference_of_1912%E2%80%931913
Përpunim grafik: AHCF




