Në luftimet e zhvilluara në Osdrim të Pejës u vra Menhend Dervishaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dëshmor. Lindi në Zabllaç të Istogut. Në maj të vitit 1998 iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, në Gllogjan. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në vijat e para të frontit në Voksh, pastaj në Junik, Gjocaj, Jasiq, Smolicë, Gllogjan e në fshatra të tjera të komunës së Deçanit dhe të Gjakovës. Pas ofensivës së shtatorit 1998, për disa muaj veproi në rajonin e Rugovës, ku kontribuoi në themelimin e Brigadës 136 të Zonës Operative të Dukagjinit. U angazhua në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Istogut dhe për formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e cila operonte në trekëndëshin Pejë-Klinë-Istog. Ishte zëvendëskomandant i njësitit special të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Ra dëshmor në luftimet e zhvilluara në Osdrim të Pejës. (Në fotografi: Menhend Dervishaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 314.
Fotografia: © https://www.radiokosovaelire.com/
Përpunim grafik: AHCF




