U themelua Partia Komuniste Shqiptare, me përfaqësuesit e tri grupeve kryesore komuniste: grupi komunist i Korçës, grupi komunist i Shkodrës dhe grupi komunist i të Rinjve. Me miratimin e seksionit Ballkanik të Kominternit (Internacionalja III Komuniste nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike) në mbledhje morën pjesë dhe dy të dërguar të Partisë Komuniste Jugosllave: Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Mbledhja vendosi shkrirjen e grupeve komuniste që vepronin në vend dhe krijimin e Partisë Komuniste nga bashkimi i tyre. Mbledhja zgjodhi një Komitet Qendror të Përkohshëm, të përbërë nga 7 veta: Ever Hoxha, Qemal Stafa, Tuk Jakova, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, Kristo Themelko dhe Gjin Marku. Ajo miratoi gjithashtu Programin (Rezolucionin) e Partisë Komuniste Shqiptare për periudhën e luftës dhe një thirrje drejtuar popullit shqiptar. Programi parashikonte dy detyra kryesore: çlirimin e vendit dhe rivendosjen e pavarësisë kombëtare të atdheut, si dhe vendosjen e një rendi demokratik në Shqipëri. Ato do të realizoheshin nëpërmjet bashkimit të gjithë shqiptarëve pa dallim në një Front Antifashist si dhe nëpërmjet organizimit të kryengritjes së armatosur. Pas mbledhjes themeluese, Partia Komuniste Shqiptare mori masa për organizimin e Fontit Nacionalçlirimtar dhe të kryengritjes së armatosur. Në dhjetor 1941 u ngritën njësitet guerile dhe në pranverën e vitit 1942, çetat partizane të cilat do të përbënin bazën e formimit të Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare. (Në fotografi: Shtëpia ku u themelua Partia Komuniste Shqiptare.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 49–50.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




