Në Stamboll të Turqisë u nda nga jeta Mustafa Qemal Ataturku, themelues i Republikës së Turqisë, burrë shteti. Lindi në Selanik të Greqisë, në vitin 1881. Duke dalë në krye të Revolucionit Kombëtar të popullit të vet, iu kundërvu zbatimit të Traktatit të Sevres (10 gusht 1920), që e detyronte Turqinë të lëshonte një varg territoresh në pjesën evropiane të saj si dhe ngushticat. Me rrëzimin e sulltanatit u bë president i parë i Republikës së Turqisë (1923–1938). Arkitekt dhe zbatues energjik i reformave demokratike në fushën administrative, të drejtësisë, të arsimit dhe kulturës. Me laicizmin e jetës politike dhe shoqërore, duke filluar me abrogimin e Kalifatit, Turqia bëri një hop të madh në fushën ekonomike, në industri, në bujqësi etj. dhe në fushën e zhvillimit kulturor, të emancipimit shoqëror dhe të demokratizimit të saj. Reformat e Qemal Ataturkut patën jehonë të gjerë në shtypin shqiptar të kohës. Marrëdhëniet e Republikës Turke të Mustafa Qemal Ataturkut me Shqipërinë, të vendosura para ardhjes së Ahmat Zogut në fuqi, deri në vitin 1928 u ruajtën dhe mbeten normale. Gjatë kësaj periudhe u ratifikuan marrëveshjet shqiptaro-turke të Ankarasë dhe të Stambollit të vitit 1923, që përbënin themelin e miqësisë ndërmjet dy vendeve. Mustafa Qemal Ataturk priti më 13 mars 1926 ministrin e parë shqiptar në Turqi dhe u shpreh për forcimin e lidhjeve miqësore midis dy vendeve. Më 1 nëntor 1926, në fjalën e hapjes të Sesionit IV të legjislaturës II të Mexhlisit (Parlamentit) të Madh Turk, Mustafa Qemal Ataturku deklaroi se marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë ishin miqësore. Mbas shpalljes së Monarkisë në Shqipëri (1928) pati një zbehje të përkohshme të marrëdhënieve midis dy shteteve, por pas vitit 1931 ato u normalizuan, u përmirësuan dhe u zgjerua bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën diplomatike etj. (Në fotografi: Mustafa Qemal Ataturku)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 139–140.
Fotografia: © https://www.britannica.com/biography/Kemal-Ataturk
Përpunim grafik: AHCF




