Në Qafën e Peshkves (Pukë), gjatë luftimeve të ashpra kundër nazistëve gjermanë u vra Met Hasa, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Kërçukje të Ndroqit (rrethi i Tiranës), në vitin 1929. Në Durrës, ku ishte vendosur familja, në moshën 12–13-vjeçare Met Hasa mori pjesë në veprimtaritë ilegale, duke shpërndarë trakte, si korrier etj. Duke kryer një detyrë luftarake, u kap në befasi nga nazistët. Gjatë rrugës për në Tiranë mundi t’u shpëtonte rojave gjermane. U hodh në rreshtat partizane, në fillim në Batalionin III të Grupit të Pezës (1943) dhe pastaj në Batalionin IV të Brigadës XXII Sulmuese (1944). Ra duke zënë me trupin e tij grykën e një mitralozi armik. (Në fotografi: Met Hasa)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 889.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




