Kongresi i Manastirit

Lexo ngjarje:

Nisi punimet “Kongresi i Manastirit”, kongres kombëtar i mbajtur në Manastir (sot Bitola në Maqedoninë e Veriut). Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Zgjidhja e saj do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar. Ndonëse në thelb ishte një çështje kulture, njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe paraqitej njëherazi një nga problemet më të rëndësishme politike të kohës, zgjidhja e të cilit do të varej nga zhvillimi i lëvizjes kombëtare në përgjithësi. Në të vërtetë, thirrja e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe u bë e mundur vetëm në rrethanat e reja që u krijuan për lëvizjen kulturore-kombëtare pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908. Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Nisma e këtij klubi u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit, që u treguan të gatshme të dërgonin përfaqësuesit e tyre në këtë kongres. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj. Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Gjatë dy ditëve të para të kongresit u zhvilluan mbledhje të gjera e të hapura, ku morën pjesë, përveç delegatëve, edhe intelektualë e nxënës të shkollave të Manastirit, si edhe banorë të tjerë të këtij qyteti, rreth 400 veta. Këto mbledhje u shndërruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, si dhe për përparimin e kombit e të kulturës së tij. Vendin kryesor në punimet e Kongresit, duke përfshirë edhe mbledhjet e hapura, e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Në ditën e tretë të punimeve Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, të kryesuar nga at Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar. Komisionit iu dhanë fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje. Pas shumë diskutimesh komisioni vendosi të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe. Por komisioni ndeshi në vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe, që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes që i mungonin latinishtes (dh, gj, nj, th etj.). Në këto rrethana, pas tri ditë diskutimesh (17–19 nëntor), anëtarët e komisionit, sikurse thuhej në vendimin e kongresit, “të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme”, nuk arritën të caktonin një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe, prandaj vendosën “të kthehen prapa”, duke pranuar alfabetin e Stambollit “e bashkë me të edhe një abece thjesht latine, që të përdoreshin e të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve”. Të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht në shkolla. Ky vendim, që vetë Kongresi e quajti kthim prapa, u argumentua nga komisioni me “disa shkaqe të përjashtme” dhe pikërisht me nevojën për të shtypur me alfabetin thjesht latin libra jashtë Shqipërisë dhe për korrespondencat me jashtë. Në të vërtetë, me shkaqe të jashtme nuk kuptoheshin vetëm ato thjesht teknike, por edhe trysnia e ushtruar mbi komisionin nga qarqet e shoqëritë e ndryshme shqiptare, që ishin për alfabetin e Stambollit (në Shqipërinë e Jugut) dhe atë të “Bashkimit” në Gegëri e sidomos në Shkodër. Vendimi për të përdorur bashkërisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy, edhe këta bashkërisht. Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti thjesht latin, duke qenë i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. (Në fotografi: Komisioni i hartimit të alfabetit, nëntor 1908.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 391–394.

Fotografia: © https://muzeuialfabetit.org/historia-e-shkurter-per-kongresin-e-manastirit/

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Mario Ashiku

Lindi në Shkodër Mario Ashiku, regjisor, aktor, profesor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img