U nda nga jeta Ismail Rexhepi, profesor, historian, punonjës shumëvjeçar i Arkivit të Kosovës dhe një nga njohësit më të mirë të arkivistikës. Lindi në fshatin Bresanë të Opojës (Kosovë), më 3 nëntor 1947. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e mesme e vazhdoi në medresenë “Alaudin”, në Prishtinë. Në vitin 1972 u diplomua në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë në grupin “histori-gjeografi”. Me të përfunduar shkollën e lartë, filloi punë në shkollën fillore “Zenel Salihu” në fshatin Bardh i Madh (ish-Bellaçevc) të Fushë Kosovës. Nga 13 nëntori 1973 deri më 13 tetor 1974 kreu shërbimin ushtarak, ku mori gradën rreshter. Pas shërbimit ushtarak përsëri vazhdoi mësimdhënien në të njëjtën shkollë, deri më 6 nëntor 1978. Krahas punës si mësimdhënës, ai vazhdoi studimet në degën e historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, të cilat i përfundoi me rezultate të larta, ku mori titullin “profesor i historisë”. Në Arkivin e Kosovës filloi punën në vitin 1978, në pozitën shef i shërbimit për mbrojtjen e lëndës arkivore. Kishte prirje dhe vullnet të veçantë për mësimin e gjuhëve të huaja,duke përvetësuar gjuhën serbokroate, angleze, arabe dhe osmane. Ismail Rexhepi, për aq sa punoi në Arkivin e Kosovës, ka ushtruar detyra me përgjegjësi profesionale dhe morale. Ishte shef i shërbimit të përpunimit të lëndës arkivore, shef i shërbimit të deposë, udhëheqës i sektorit për mbrojtjen dhe regjistrimin e lëndës arkivore, koordinator etj. Rrethanat e krijuara në vitin 1989 në Kosovë, bënë që në dhjetor 1990 Ismail Rexhepi të ishte i pari punonjës i Arkivit të Kosovës që i ndërpritet dhunshëm marrëdhënia e punës. (Në fotografi: Ismail Rexhepi)
Teksti: https://www.rtvpendimi.com/nderim-per-profesor-ismail-rexhepi-1947-2016-2/
Fotografia: © https://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=9780
Përpunim grafik: AHCF




