Edit Durham (Mary Edith)

Lexo ngjarje:

Në Londër (Britania e Madhe) u nda nga jeta Edit Durham (Mary Edith), antropologe, shkrimtare, publiciste dhe udhëpërshkruese. Lindi në Hanover Skuer në Londër, në vitin 1863. Studioi në Kolegjin Bedford (1878–1882), pastaj në “Royal Academy Schools”. Babai i saj, Artur Eduard Durham, ishte mjek, kirurg i njohur në Londër. Edit Durham u bë e njohur me udhëtimet e saj në disa vende të Ballkanit. Më 1900 nis udhëtimet për herë të parë, për shkaqe shëndetësore. Në udhëtimet e saj u përqendrua veçanërisht në Shqipëri, ku u njoh me kulturën, historinë, traditat, zakonet e deri te kërkesat politike të shqiptarëve. Si njohëse e mirë e rrethanave ballkanike, ajo i kishte informuar zyrtarët e lartë britanikë për ngjarjet e rëndësishme në Shqipëri, sidomos për masakrat e ushtrive të Aleancës Ballkanike mbi popullsinë civile shqiptare gjatë viteve 1912–1913. Ndërkaq, kontributet e saj u botuan në revista e periodikë të ndryshëm në Britani. Për shkak të interesimeve të saj dhe të rezultateve në fushën e antropologjisë, ajo u bë një anëtare e rëndësishme e Institutit Antropologjik Mbretëror. Edit Durham shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, ndër të cilat: “Shqipëria e Epërme” (1909); “Lufta për Shkodrën” (1914); “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” (1920); “Mbi origjinën e disa fiseve, kanune dhe zakone të vendeve të Ballkanit” etj. Për shkak të afërsisë së krijuar me malësorët shqiptarë dhe respektit që krijuan për të, u quajt “Mbretëresha e Malësisë”. Gjatë kohës së qëndrimit në rajonin e Ballkanit, Edit Durham mblodhi shumë dokumente dhe materiale të ndryshme që lidheshin me kulturën, traditën, antropologjinë dhe aspekte të tjera të rëndësishme nga jeta e përditshme në Shqipëri. Dokumentet dhe materialet e saj të mbledhura gjatë kohës së udhëtimeve në Ballkan mbahen nga Instituti Antropologjik Mbretëror në Londër. Ditarët e saj gjenden në Muzeun Bankfield, Halifax, së bashku me koleksionet e saj të veshjes ballkanike dhe të stolive, të cilat ia dhuroi muzeut në vitin 1935. Veprat e Edit Durhamit për Shqipërinë dhe shqiptarët kanë vlerë kulturore, etnografike dhe historike. (Në fotografi: Edit Durham)

Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 364.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Edith_Durham

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img