U nda nga jeta Din Mehmeti, poet. Lindi në Gjocaj të Junikut (Kosovë), në vitin 1929. Në vendlindje kreu shkollën fillore. Shkollën normale e kreu në Gjakovë, ndërsa studimet në Universitetin e Beogradit, në katedrën për gjuhë e letërsi shqipe. Mbaroi studimet pasuniversitare në Katedrën e Albanologjisë të Universitetit të Prishtinës. Në fillim punoi si gazetar në të përditshmen “Rilindja”, më pas mësues në shkollën normale dhe në gjimnazin e Gjakovës. Derisa u pensionua ishte profesor i letërsisë popullore dhe i teorisë së letërsisë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Vjershën e parë e botoi më 1949, te revista letrare “Jeta e re”. Ishte zë më vete, që mbështetej dhe frymëzohej sidomos nga letërsia gojore. Që andej e ndiente jehonën e dramës historike të truallit të vet, ëndrrat e tij nëpër mote. Është për t’u theksuar fakti që Din Mehmeti shumë shpejt, që në fillim të krijimtarisë e parandjeu se ëndrra e tij nuk po realizohej siç ishte premtuar dhe siç besohej, prandaj ndër të parët dha alarmin përmes lirikës dramatike për shpërnguljen kolektive të shqiptarëve nga Kosova. Këtë shqetësim drithërues të thellë do t’ua ngarkojë vargjeve të tij deri në fund të jetës. Sidomos gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX, me katër librat e tij të fundit poetikë, verbi i tij krijues ka shijen e klithjes dhe rezistencës ndaj dhunës që ushtrohej ndaj vendit dhe popullit të tij. Është autor edhe i shkrimeve në prozë, autor drame dhe i studimeve letrare, sidomos nga letërsia popullore. Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe është përfshirë në antologji. Ishte laureat i disa çmimeve të rëndësishme letrare. (Në fotografi: Din Mehmeti)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1086–1087.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Din_Mehmeti
Përpunim grafik: AHCF




