U nënshkrua “Protokolli Shqiptaro-Italian”, marrëveshje dypalëshe midis përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane. Ky protokoll i nënshkruar pas Luftës së Vlorës (1920), detyronte Italinë të njihte pavarësinë e shtetit shqiptar dhe paprekshmërinë e tërësisë territoriale të tij. Protokolli shqiptaro-italian përmbante 8 pika. Sipas tyre, qeveria italiane hiqte dorë nga pretendimet për vendosjen e krahinës së Vlorës nën sovranitetin e Italisë, si dhe të shtetit të cunguar shqiptar nën mandatin italian. Ushtria pushtuese italiane do të tërhiqej nga Vlora dhe nga pjesët e tjera të vendit brenda një muaji, me përjashtim të ishullit të Sazanit. Në bazë të Protokollit Shqiptaro-Italian problemet e tjera të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe Italisë do të shqyrtoheshin dhe do të zgjidheshin në bisedimet e ardhshme midis delegacioneve të të dy vendeve. Protokolli ishte një arritje e qeverisë dhe e forcave politike shqiptare. Ai mënjanoi realizimin e planeve ekspansioniste të Italisë në Shqipëri dhe të monarkive ballkanike fqinje ndaj Shqipërisë, të parashikuara në Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit 1915 dhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920) nga përfaqësuesit e Fuqive kryesore fituese të Luftës I Botërore. (Në fotografi: Ushtarë italianë në Vlorë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2118.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Protektorati_italian_mbi_Shqip%C3%ABri
Përpunim grafik: AHCF




