Martin Camaj

Lexo ngjarje:

Në Lenggries të Gjermanisë, u nda nga jeta Martin Camaj, shkrimtar, gjuhëtar, filolog. Lindi në Temal të Dukagjinit. Pas mësimeve të para, ndoqi Kolegjën Saveriane (Kolegja e Shën Françesk Saverit) në Shkodër dhe punoi për një vit si mësues në malësi. Më 1948 u arratis nga Shqipëria, duke u vendosur në fillim në Jugosllavi, ku më 1949 filloi studimet e larta për romanistikë e ballkanologji në Universitetin e Beogradit. Në vitet 1956–1960 kreu Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Romës dhe u caktua lektor i gjuhës shqipe në atë universitet. Më 1961 vendoset në Gjermani, ku, pasi mbrojti doktoratën në fushën e albanologjisë, u emërua, më 1965, docent i gjuhës e letërsisë shqipe në Universitetin e Munihut dhe më pas titullar katedre (1971–1990). Mbajti lidhje të ngushta me bashkëkombësit përmes diasporës shqiptare dhe Kosovës. Në fillimet e krijimtarisë poetike të Martin Camaj ndihet mbështetja në mjetet artistike tradicionale e folklorike. Vëllimet e para frymëzohen nga motive të vendlindjes. Martin Camaj në poezinë e tij parapëlqen kryesisht vargun e lirë; ai lëvron me mjeshtëri variantin gjuhësor të gegërishtes. Po aq i spikatur si individualitet artistik shfaqet Martin Camaj edhe në fushën e prozës. Martin Camaj lëvroi edhe gjininë e dramës. Si një ndër albanologët e spikatur, Martin Camaj la një seri veprash të rëndësishme në fushën e gjuhësisë. Midis tyre veçohen: “Il Messale di Gjon Buzuku”, 1961 (“Meshari i Gjon Buzukut”); “Albanische Wortbildung”, 1966 (“Formimi i fjalëve në shqipe”); “Lehrbuch der albanischen Sprache”, 1969 (“Libër mësimi i gjuhës shqipe”); “La parlata Albanese di Greci in provincia di Avellino”, 1971 (“E folmja arbëreshe e Greçit në provincën e Avelinos”); “Die albanische Mundart von Falkonara Albanese in der Provinz Cosenza”, 1977 (“E folmja arbëreshe e Falkunarës në krahinën e Kozencës”); “Albanian Grammar”, 1984 (“Gramatikë e shqipes”) etj. Martin Camaj ka botuar edhe një varg studimesh për historinë e gjuhës shqipe, etimologjinë, dialektologjinë, gramatikën, tekstet e vjetra, letërsinë, folklorin etj. Vepra dhe personaliteti i tij u bënë të njohura në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit në vitit 1990, duke u përfshirë në tekstet e letërsisë dhe duke u trajtuar në studime të veçanta shkencore. (Në fotografi: Martin Camaj)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 354-355.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Martin_Camaj

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img