U nda nga jeta Haxhi Vehbi Dibra (Agolli), Kryetar i Kongresit të Dibrës, Myfti i Dibrës, Kryetari i parë i Kuvendit më 1912, Myfti i Përgjithshëm, Kryetari i Parë i Komunitetit Mysliman, dijetar. Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) lindi në Dibër të Madhe, më 12 mars 1867. Ishte djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuar, myfti i Dibrës së Madhe. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare. Zotëronte arabishten dhe osmanishten. Ai jetoi në një kohë kur akoma ishte e freskët Lidhja e Prizrenit dhe u frymëzua nga libri “Dheshkroja” e Sami Frashërit. Qyteti i tij, Dibra e Sipërme, aty nga viti 1900 përfshinte 3 fshatra dhe nuk ishte më pak i dëgjuar se qytetet e tjera, si: Shkupi, Prishtina, Tirana, Korça e Preveza. Haxhi Vehbi Dibra mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), në Kongresin e Dibrës (1909), në Kuvendin e Vlorës (1912) si përfaqësues i Dibrës. Në qeverinë e parë të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet kryetar i Pleqësisë dhe nënkryetar i Qeverisë. Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipërisë (1913). Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1929. Ai ndikoi në hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë. Në këtë mënyrë autoriteti i Komunitetit Mysliman Shqiptar u rrit shumë dhe vendosi lidhje me shumë vende islame. Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë. Haxhi Vehbi Dibra ka shkruar e botuar punime, studime, krijime e përkthime. Ato janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939. (Në fotografi: Haxhi Vehbi Dibra)
Teksti: Genti Kruja
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Vehbi_Dibra
Përpunim grafik: AHCF




