Aristidh Ruçi

Lexo ngjarje:

Më 11 prill 1950, në Vlorë u nda nga jeta Aristidh Ruçi (1875–1950). Lindi në Sheper të Zagorisë. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit, më pas zhvendoset në Janinë për të ndjekur studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea”. Për një periudhë 2-vjeçare jeton në Stamboll dhe kthehet sërish në Janinë gjatë viteve 1899–1904. Këto lëvizje i dhanë mundësinë që të binte në kontakt me figura të mëdha, si Naim Frashëri, Shahin Kolonja apo Jani Vruho. Në vitin 1906 u vendos në qytetin e Vlorës për të qëndruar aty deri në fund të jetës se tij, ku u bë një ndër tregtarët më të njohur të qytetit. Aristidh Ruçi kthehet në një figurë të rëndësishme dhe me një veprimtari të gjerë kombëtare. Në 1908 u bë anëtar i klubit patriotik “Labëria” të Vlorës. Emri i tij lidhet me përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe. Në Kuvendin Kombëtar, më 28 nëntor 1912, ishte delegat i Tepelenës dhe firmëtar i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Ishte ndër themeluesit e komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që ndihmoi në organizimin e Luftës së Vlorës (1920). Në vrullin e kësaj lufte u krijua shoqëria patriotike “Përlindja Kombëtare”, ku komisioni ngarkoi Aristidh Ruçin dhe disa atdhetarë të tjerë për hartimin e rregullores së saj. Gjatë viteve në vijim u përfshi në jetën demokratike të vendit, siç ishte federata “Atdheu” dhe shoqëria “Bashkimi”. Në vitin 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare. Gjatë pushtimit, si pasojë e veprimtarisë antifashiste, arrestohet dhe internohet në Itali. Me kthimin e tij në Shqipëri arrestohet nga sistemi i vendosur komunist për arsyen e të qenit tregtar i madh. Pas 2 vitesh burgim lihet i lirë, por duke i sekuestruar çdo gjë që kishte pasur, madje dhe orenditë shtëpiake. (Në fotografi: Aristidh Ruçi)

Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Aristidh_Ru%C3%A7i

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img