U nda nga jeta Qemal Haxhihasani, mbledhës e studiues i folklorit, filolog e profesor. Lindi në Elbasan, ku kreu dhe Normalen. Ndoqi studimet e larta me korrespondencë për pedagogji në Universitetin e Firences (1940–1942). Në vitin 1956 kreu Institutin Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë dhe në vitin 1958, vazhdoi studimet në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Interesimi i tij për folklorin filloi gjatë viteve që shërbeu si mësues në fshatrat e Dibrës, të Devollit dhe në Tetovë. Nga viti 1949 e në vijim punoi si folklorist në Institutin e Shkencave, Institutin e Folklorit, Institutin e Kulturës Popullore. Që nga viti 1960 drejtoi sektorin e prozës e të poezisë popullore në këto institute, deri në vitin 1990, kur doli në pension. Dha ndihmesë të veçantë në fushën e studimit të folklorit, që nga hartimi i kritereve shkencore të mbledhjes së folklorit, deri te folkloristika e përgjithshme, historia e folkloristikës shqiptare, estetika e folklorit, epika, lirika, baladat, raportet e folklorit shqiptar me atë ballkanik e më gjerë etj. Në Institutin e Shkencave Qemal Haxhihasani përgatiti vëllimet “Këngë popullore legjendare” (1955) e “Këngë popullore historike” (1956) dhe më pas vëllimet “Këngë popullore historike (1878–1912)” (1962). Shkroi studimin “Thimi Mitko (Jeta dhe veprimtaria)” (1962). Qemal Haxhihasani ka dhënë ndihmesa edhe në fushën e dialektologjisë. Ai ka hartuar një monografi të plotë për të folmen e Çamërisë, dhe skica përshkruese për të folmen e Polisit, të Sulovës, të Lurës, si edhe për të folmet shoqërore. (Në fotografi: Qemal Haxhihasani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 895–896.
Fotografia: © http://elbasani.org/qemal-haxhihasani-1916-1992-nderojne-elbasanin/
Përpunim grafik: AHCF




