Në Tiranë, me pretekstin e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike, u pushkatua pa gjyq, së bashku me 21 intelektualë të tjerë, Pjerin (Pjetër) Guraziu. Lindi më 1906, në Shkodër. Prej vitit 1912 deri më 1929 jetoi në Itali, bashkë me familjen. U diplomua për ekonomi (Itali). Punoi për një kompani automobilash në Milano. Punoi mësues në Shkollën Tregtare (Vlorë) dhe në Ministrinë e Financave. Kundërshtar i regjimit komunist, prej të cilit vlerësohej si “element me influencë në elementin armik dhe i guximshëm”. Ka qenë pjesëmarrës në Luftën NÇ, moralisht dhe materialisht. Sidomos nga mesi i vitit 1950, ka propaganduar në favor të anglo-amerikanëve, duke paraqitur forcën e madhe të kampit imperialist dhe duke diskredituar kampin demokratik.” U arrestua më 11 shkurt 1951, me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike. Nuk i pranoi akuzat për terrorizëm. Pas rënies së komunizmit, është dekoruar me titujt “Nderi i Kombit” dhe “Martir i Demokracisë”. (Në fotografi: Pjerin Guraziu)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. III, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2014, faqe 7.
Fotografia: © https://kujto.al/personat/pjeter-guraziu/
Përpunim grafik: AHCF




