U vra nga policia serbe Milan Shuflai, historian kroat, studiues i historisë mesjetare shqiptare. Lindi dhe u rrit në Zagreb. Në vitet 1908–1918 qe profesor i Universitetit të Zagrebit. Pas krijimit të shtetit jugosllav, u nxor nga puna për arsye politike, u dënua me burg dhe u ndalua të pranonte thirrjen për në Universitetin e Budapestit. Pas një udhëtimi në Shqipëri, u vra në mënyrë barbare nga policia jugosllave. Vrasja e tij shkaktoi një valë protestash ndërkombëtare. Shuflai është bashkautor i përmbledhjes së dy vëllimeve “Akte dhe diploma”, që ilustrojnë çështjet e Shqipërisë mesjetare. Më 1924, u botua nga Akademia e Shkencave e Vjenës vepra e tij themelore “Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë kryesisht gjatë mesjetës”. Më vonë, pasuan punimet “Historia e Shqipërisë së Veriut” dhe “Serbët e Shqiptarët”. Me pseudonimin Alba Limi, Milan Shuflai botoi më 1920 romanin historik me temë shqiptare, “Konstantin Balsha”. Në punimet e tij bie në sy historia e shqiptarëve si një entitet etnokulturor me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, si dhe me aftësi të madhe rigjeneruese. (Në fotografi: Milan Shuflai)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2643.
Fotografia: © https://www.wikidata.org/wiki/Q1280614
Përpunim grafik: AHCF




