U nda nga jeta Zija Dibra (1885–1924), veprimtar i lëvizjes demokratike. Lindi në Dibër. Kreu një shkollë ushtarake në Stamboll. Në shtator 1921 u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë në lëvizjen demokratike e në ngjarjet e dhjetorit 1921; në qeverinë jetëshkurtër të Hasan Prishtinës iu dha posti i ministrit të Luftës. Pasi Ahmet Zogu u bë ministër i Brendshëm, Zija Dibra u largua nga Tirana dhe bashkëpunoi me Elez Isufin, në Malësi të Dibrës, kundër Ahmet Zogut. Organizuan Lëvizjen e Marsit të vitit 1922, e cila u shtyp nga forcat e armatosura qeveritare. Pas kësaj, u arrestua dhe u dënua me vdekje. U arratis nga burgu dhe doli jashtë vendit. Pas fitores së Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, u kthye në Shqipëri dhe shërbeu në administratën e qeverisë së Fan Nolit. Pas shtypjes së Revolucionit tentoi të largohej në Itali. U arrestua dhe u vra pa gjyq, nga forcat e armatosura të Zogut, në fshatin Harizaj (Kavajë). (Në fotografi: Zija Dibra)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 474.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Zija_Dibra
Përpunim grafik: AHCF




