U nda nga jeta Zef Jubani, veprimtar dhe ideolog i njohur i Rilindjes Kombëtare. Lindi në Shkodër, në vitin 1818. Studimet e mesme tregtare i kreu në Maltë. Zef Jubani është një ndër mbledhësit dhe studiuesit e parë të folklorit tonë të lashtë. Më 1871, botoi vëllimet “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare”, ku përfshihen edhe studimet e tij: “Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Veriut” dhe “Kundromë mbi gjendjen morale dhe mbi kulturën intelektuale të popullit shqiptar”. Zef Jubani njihet si një ndër ekonomistët e parë shqiptarë që sugjeronte ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave, themelimin e ndërmarrjeve publike, zhvillimin e tregtisë së jashtme. Njihet si krijues i një alfabeti me shkronja latine, hartues i një gramatike të shqipes, luftëtar për një gjuhë letrare shqipe, për një shkollë kombëtare dhe laike. (Në fotografi: Zef Jubani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1072.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




