Në fshatin Gril të Shkodrës u vra duke luftuar kundër forcave naziste Vasil Shanto, veprimtar i lëvizjes komuniste dhe antifashiste, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në Shkodër. U shpërngul në Tiranë me familjen, më 1928. Më pas u bë anëtar i celulës së parë komuniste (1931). Anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe kryetar i Komitetit Qarkor për Tiranën të këtij grupi. Pas agresionit fashist (7 prill 1939) u bë një nga organizatorët e parë të qëndresës popullore dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Mori pjesë në mbledhjen e grupeve komuniste për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, si përfaqësues i Grupit Komunist të Shkodrës. U dërgua komisar në Çetën Antifashiste të Pezës (1941) dhe në qarqe të vendit për organizimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe forcimin e organizatave të Partisë Komuniste Shqiptare. (Në fotografi: Vasil Shanto)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2426.
Fotografia: © Muzeu Historik Kombëtar
Përpunim grafik: AHCF




